Te ndryshme

MJETET E QËNDRUESHMËRISË NË FENË E ALLAHUT -7

VII – Edukimi

Edukimi progresiv vetëdijesues në aspektin e imanit dhe dijes është një ndër faktorët kryesorë të qëndrueshmërisë në fe. Edukim në aspektin e besimit është edukimi që e ngjall zemrën dhe ndërgjegjen përmes frikës, shpresës dhe dashurisë (ndaj Allahut) dhe e kundërshton ftohtësinë, që vjen si rrjedhojë e largimit nga tekstet e Kuranit e Sunetit, si dhe mbërthimit pas fjalëve të njerëzve. Edukim në aspektin e dijes është edukimi i bazuar në argumente të sakta, që nuk e pranon pasimin e verbër dhe imitimin e përbuzur.

Edukim vetëdijesues është edukimi që e njeh rrugën e mëkatarëve dhe keqbërësve, i studion komplotet e armiqve të Islamit, e njeh mirë realitetin dhe i kupton e i vlerëson ngjarjet ashtu siç duhet.

Ky edukim i mohon botëkuptimet e verbra dhe ngujimin në mjedise të ngushta e të kufizuara. Edukim progresiv është edukimi që muslimanin e çon hap pas hapi drejt arritjes së përsosurisë nëpërmjet planifikimit të duhur, i cili nuk mund të jetë asnjëherë spontan dhe me hapa të nxituar e të pamatur.

Që ta kuptojmë mirë rëndësinë e faktorit të qenët i qëndrueshëm në fe, t’i kthehemi jetës së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit ﷺ dhe ta pyesim veten:

– Cili qe burimi i qëndrimit të patundshëm të sahabëve në Mekë gjatë periudhës së persekutimit?

– Si arritën Bilali, Hababi, Musabi, familja e Jasirit dhe muslimanët e tjerë të pafuqishëm të jenë të qëndrueshëm?

Madje, si e arritën qëndrueshmërinë sahabët e mëdhenj kur u rrethuan e u bojkotuan nga populli i tyre?

– A mund të ishin kaq të qëndrueshëm po të mos edukoheshin rrënjësisht nën mbikëqyrjen e Pejgamberit ﷺ e cila ua përsosi personalitetet?! Ta marrim shembull Habab ibnul Eretin, Allahu qoftë i kënaqur me të!, pronarja e të cilit e skuqte shufrën e hekurit në zjarr e ia vendoste në shpinën e zhveshur, derisa fikej nga lëngu i dhjamit të shpinës së tij.

Vallë, ç’e bëri të durojë gjithë këtë torturë?!

Kujtoje durimin e Bilalit nën shkëmbin e rëndë në përcëllimin e shkretëtirës dhe qëndrueshmërinë e Sumejës nën zinxhirë e pranga… Analizoje betejën e Hunejnit në periudhën medinase.

Cilët ishin ata që qëndruan të patundur me të Dërguarin e Allahut kur u mundën shumica e muslimanëve?! Mos ishin të sapoislamizuarit, gjegjësisht ata që ishin bërë muslimanë pas çlirimit të Mekës, të cilët nuk patën kohë të mjaftueshme të edukoheshin në shkollën profetike, një numër i madh i të cilëve kishte dalë vetëm për ta marrë prenë e luftës? Kurrsesi!

Ata që arritën të jenë të qëndrueshëm përgjithësisht ishin të pajisurit me edukatë të mjaftueshme nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Vallë, do të mund të qëndronin këta po të mos pajiseshin me një edukatë të tillë?!

Vazhdon

Tags
Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close