Te ndryshme

MJETET E QËNDRUESHMËRISË NË FENË E ALLAHUT-14

XIV – Këshillat e njerëzve të devotshëm

Kur muslimani ballafaqohet me diçka që Allahu e sprovon për ta pastruar, ndër faktorët e të qenit i qëndrueshëm, në raste të tilla, është që Allahu ia çon ndonjë njeri të devotshëm, i cili e këshillon dhe e përforcon.

Allahu do t’i bëjë dobi me fjalët e tij dhe do t’ia rregullojë punët, ngaqë ai vazhdimisht do t’ia kujtojë Allahun, takimin me Të, si dhe Xhenetin e Zjarrin. Ja një shembull nga jeta e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë!, i cili është sprovuar për të dalë si ari i kulluar. Atë, të lidhur më zinxhirë, e çuan te Memuni.

Ky e kishte kërcënuar rëndë para se t’i vente, saqë një shërbëtor i kishte thënë imam Ahmedit: “Më vjen shumë keq, o Ebu Abdullah, sepse Memuni e ka mprehur shpatën si asnjëherë më parë dhe është betuar në afërsinë që ka me të Dërguarin ﷺ se, në qoftë se nuk i përgjigjesh kërkesës së tij për të pohuar se Kurani është i krijuar, do të të vrasë me atë shpatë.”[42]

Në këtë rast, njerëzit e mençur e shfrytëzuan shansin për t’i thënë imamit të tyre fjalë përforcuese, siç përcillet në librin “Sijer alam en nubela” të Dhehebiut (11/238), nga Ebu Xhafer el Enbari: “Kur më lajmëruan se imam Ahmedin po e çojnë te Memuni, e kapërceva lumin Eufrat, e gjeta ulur në një han dhe e përshëndeta. Më tha: “Qenke munduar (të vish), o Ebu Xhafer.” I thashë: “Dëgjo, o imam. Ti je prijës e njerëzit të ndjekin ty, kështu që, për Allahun, po qe se i përgjigjesh kërkesës për të pohuar se Kurani është i krijuar, këtë do ta bëjnë edhe shumë njerëz të tjerë e, nëse nuk i përgjigjesh, atëherë do të ndalen nga kjo edhe shumë të tjerë.

Përveç kësaj, edhe nëse nuk të vret ky njeri, ti prapëseprapë do të vdesësh, ngase prej vdekjes nuk ka shpëtim. Ndaj, kije frikë Allahun dhe mos iu përgjigj kërkesës së tij.” Imam Ahmedi filloi të qajë nga këto fjalë dhe bëri mashalla, pastaj më tha: “O Ebu Xhafer! Përsëritma edhe një herë.” Ia përsërita, kurse ai vazhdoi të thotë: “Mashalla…” Imam Ahmedi, lidhur me udhëtimin e tij për te Memuni, thoshte: “Kur arritëm në Rahbe, në mesnatë, na doli një njeri e na tha: ‘Cili prej jush është Ahmed ibn Hanbeli.’ I thanë: ‘Ky këtu.’ Ai i tha ngasësit të devesë: ‘Lëshoje poshtë.’ Pastaj tha: ‘Dëgjo, o njeri! Ç’të keqe ka nëse vritesh këtu e hyn në Xhenet?!’ Më tej tha: ‘Allahu qoftë me ty!’ dhe u largua. Kur pyeta për të, më thanë se është një arab nga fisi Rabia, se merret me punimin e leshit në shkretëtirë dhe quhet Xhabir ibn Amir. E përmendnin për të mirë.”[43]

Në librin “El Bidaje ue nihaje” tregohet se një beduin i kishte thënë imam Ahmedit: “Dëgjo, o njeri! Ti je përfaqësues i njerëzve, kështu që mos u bëj lajm i keq për ta! Ti je prijësi i njerëzve sot, ndaj kurrsesi mos iu përgjigj kërkesës së tyre e të përgjigjen pastaj edhe njerëzit e tjerë, se do të bartje mëkatet e tyre në Ditën e Gjykimit. Nëse e do Allahun, duro në atë që je, sepse mes teje dhe Xhenetit qëndron vetëm vdekja.” Imam Ahmedi thoshte: “Fjalët e tij ma forcuan vendosmërinë për të qëndruar në atë që qeshë dhe të mos i përgjigjesha kërkesës së tyre.”[44]

Në një transmetim përcillet se imam Ahmedi kishte thënë: “Nuk kam dëgjuar në atë rast fjalë që kanë ndikuar tek unë më tepër sesa fjalët e një beduini, të cilat m’i ka thënë në Rahbe Tauk, një vend ndërmjet Rikasë dhe Bagdadit, në shtratin e lumit Eufrat. Ai më tha: “Nëse të vret e vërteta, do të biesh dëshmor e, nëse mbetesh gjallë, jeton krenar…” Këto fjalë ma forcuan zemrën.”[45]

Ndërkaq, lidhur me djaloshin Muhamed ibn Nuh, i cili i qe bashkëngjitur në sprovë, imam Ahmedi thoshte: “Nuk kam parë njeri më të patundur në çështjen e Allahut sesa Muhamed ibn Nuhin, përkundër moshës së tij të re dhe dijes që kishte! Shpresoj se ka pasur përfundim të mirë. Një ditë më tha: ‘O Ebu Abdullah! Kije ndërmend Allahun. Kije ndërmend Allahun! Ti nuk je sikurse unë. Ti je njeri që e pasojnë njerëzit. Sytë e njerëzve janë drejtuar kah ti, për të parë se si do të përgjigjesh, andaj kije frikë Allahun dhe qëndro në çështjen e Tij.’ Kur vdiq, ia fala namazin e xhenazes dhe e varrosa.”[46]

Edhe të burgosurit që qenë me imam Ahmedin në burg, të cilëve ua falte namazin duke qenë i lidhur me zinxhirë, ndikuan në qëndrueshmërinë e tij. Kështu, njëherë derisa imam Ahmedi gjendej në burg, tha: “Nuk e kam dert burgun, ngase për mua burgu e shtëpia janë një, e as vdekjen nga shpata, por kam frikë nga sprova e kamxhikut.” Kur e dëgjoi këtë njëri nga të burgosurit, i tha: “Mos ki merak, o Ebu Abdullah, do të të dhembin vetëm dy kamxhikët e parë, kurse të rënat e tjera nuk do t’i ndiesh.” Si duket kjo e kishte qetësuar atë.[47]

Pra, vëlla i dashur! Kushtoji rëndësi të madhe kërkimit të këshillave nga njerëzit e mirë dhe kuptoji mirë ato. Kërko këshillën e tyre para se të nisesh për ndonjë udhëtim, po qe se ke frikë se mund të biesh në ndonjë sprovë. Kërkojua këshillën gjatë sprovimit ose para ndonjë sprove të mundshme. Kërko këshillimin e tyre kur të emërohesh në ndonjë pozitë ose kur trashëgon ndonjë pasuri. Ji i qëndrueshëm dhe këshilloji edhe të tjerët të jenë të tillë. Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve.

Vazhdon

Tags
Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close