Te ndryshme

MJETET E QËNDRUESHMËRISË NË FENË E ALLAHUT -10

X – Qëndrimi pranë njerëzve që të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në fe

Njerëzit që të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në fe janë ata, veçoritë e të cilëve i ka përmendur i Dërguari i Allahut ﷺ kur ka thënë: “Prej njerëzve ka të atillë që janë çelësa të hairit e dryna të sherrit.”[31]

Kërkimi i dijetarëve, të devotshmëve e thirrësve besimtarë dhe qëndrimi pranë tyre është faktor i rëndësishëm që të ndihmon të jesh i qëndrueshëm. Në historinë islame kanë ndodhur sprova në të cilat Allahu i bëri të qëndrueshëm muslimanët përmes burrave.

Këtë e dëshmon thënia e Ali ibnul Medinit: “Allahu e ndihmoi fenë e Tij përmes Sidikut (Ebu Bekrit), në kohën e renegatëve, dhe përmes Ahmedit, në kohën e sprovës.” Kundroji fjalët e Ibn Kajimit për rolin e shejhut të Islamit (Ibn Tejemijes) në të qenët i qëndrueshëm në fe: “Kur na shtohej frika, kur na kaplonin paragjykimet dhe kur na ngushtohej Toka, shkonim tek ai.

Posa e shihnim dhe i dëgjonim fjalët e tij, na largohej tërë ajo që ndienim, madje na shndërrohej në prehje, fuqi, bindje dhe qetësi. Lavdëruar qoftë Ai që ua mundësoi robërve të Vet ta përjetojnë Xhenetin para se të takohen me Të dhe ua hapi dyert e Xhenetit që në këtë botë, për ta ndier aromën e këndshme të tij, e cila i bën ata që tërë energjinë e tyre t’ia kushtojnë kërkimit të Xhenetit dhe garimit drejt tij.”[32]

Këtu bëhet e qartë se vëllazëria islame është burim thelbësor i qëndrueshmërisë në fe. Vëllezërit e tu të devotshëm, liderët dhe edukatorët e vërtetë janë përkrahësit e tu në rrugën që ke zgjedhur, janë shtyllë e fortë në të cilën mbështetesh.

Ata të bëjnë më të qëndrueshëm përmes ajeteve e urtësisë që ua ka dhënë Allahu. Kështu, shoqëroji, jeto në mesin e tyre dhe ruaju nga vetmia, që mos të të rrëmbejnë shejtanët, ngase ujku e ha delen që ikën nga kopeja.

Vazhdon

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button